Bashkëjetesë apo martesë: a ka ndryshim? Ka pro dhe kundra në të dyja mënyrat e jetesës, qëllimeve apo projektimit të një marrëdhënie afatgjatë. Ka ndryshime në këto dy mënyra dhe këto ndryshime janë të rëndësishme sepse kanë të bëjnë kryesisht me sferën ligjore që me kalimin e kohës ka një lloj peshe. Përtej traditës apo modernes, është zemra jote. Prandaj kur një marrëdhënie është e qëndrueshme dhe e sigurt bëhen bisedat për një jetë të përbashkët, biseda që duhet të jenë të sinqerta dhe pa paragjykime.
Për shumë persona bashkëjetesa është si një hap i ri, një shije fillestare e asaj çka do të jetë jeta kur të jetoni së bashku. Për disa të tjerë është zgjidhje definitive. Në fund të ditës nuk duhet një copë letër për të treguar sa dashuri ka mes një çifti, sepse martesa jo për të gjithë ka të njëjtën vlerë. Në fund ka dhe nga ata që mendojnë që martesa është martesë. Është një hap i rëndësishëm që hedhim kur kemi takuar personin e duhur dhe kur nuk kemi nevojë për ndonjë provë për ta vërtetuar këtë. Por cilat janë pro-të dhe kundrat e martesës dhe bashkëjetesës ?
Bashkëjetesa, pro dhe kundra
Një nga përparësitë e bashkëjetesës është të provosh një eksperiencë të vërtetë jete të përbashkët ose të stërvitesh para martesës. Emocionet dhe ndjenjat e një çifti që bashkëjeton janë të njëjta më një çift të martuar, mungon vetëm ceremonia. Në fakt ceremonia e bërë para gjithë njerëzve të dashur është dhe një lloj mënyre publike për të marrë përgjegjësi. Bashkëjetesa edhe sot, trajtohet ende si një mundësi e dytë, apo si një derë e pasme drejt lirisë. Përpos ideve të përbashkëta, nga ana ligjore, edhe se kemi përparuar, një çift që bashkëjeton nuk ka të drejta të barabarta sikurse një çift i martuar. Siç e konfirmon edhe avokati Adriatik Lapaj, për sa i përket fëmijëve në zgjidhjen e bashkëjetesës ndarja bëhet sipas kodit të familjes, ndërkohë që ana financiare bëhet sipas kodit civil. E thënë me pak fjalë, nëse në martesë pasuria përgjysmohet, në bashkëjetesë ndahen sipas kontributit të secilit. Mos harroni që ky kontribut duhet vërtetuar, pra nëse shtëpinë e ka blerë njëri nga partnerët, ai duhet ta vërtetojë me pagesat e bankës.
Martesa, pro dhe kundra
Sikurse bashkëjetesa edhe martesa ka pro-të dhe kundrat e veta. Midis anëve pozitive është ndjesia e sigurisë dhe stabilitetit. Një çift i martuar do ta mendojë mirë para se të hedhë në plehra çdo gjë që ka ndërtuar. Nga ana ligjore ka përparësi, sepse në rast ndarje, një anë ka detyrime monetare ndaj tjetrës. Por ka edhe anë negative. Mund të mos ndihemi gati për hapin e madh dhe më pas martesën ta jetoni si kurth, nga i cili dilet me vështirësi dhe për arsye juridike. Nga ana tjetër dasmat kushtojnë, kushtojnë shumë, ndonëse nuk është e shënuar në asnjë libër që dasmat duhet të jenë marramendëse.
Më mirë martesa apo bashkëjetesa?
Mbas mendimeve që lexuat, t’i japësh një përgjigje kësaj pyetjeje nuk është e thjeshtë. Çdo çift ka historinë e vet, bindjet dhe arsyet e veta, shpesh herë edhe fetare, prandaj vendimin merret bazuar në këto faktorë. Sigurisht që në të dyja rastet, elementi i përbashkët është dashuria. Prandaj , nisuni nga ajo dhe kuptoni që pa dashuri është më e këshillueshme mos zgjidhni asnjërën nga këto./NGA ZHAKLIN LEKATARI
>>> Read full article>>>
Copyright for syndicated content belongs to the linked Source : DoraMagazine – https://doramagazine.com/bashkejetese-apo-martese-kjo-eshte-ceshtja/